Euro 2016, siguria vjen nga snajperët

28/03/2016 00:00

Askush në botën e futbollit europian nuk dëshiron më të shikojë skena të ngjashme me fushën e “Stade de France” në miqësoren ndaj Gjermanisë, me qindra tifozë që mbushën tapetin e gjelbërt në një mbrëmje të errët që shënoi sulme terroriste në Paris.

Por për të evituar ngjarje të tilla, sidomos pas atentateve të fundit të ekstremistëve në Bruksel, autoritetet organizative të Europianit 2016 do të angazhojnë forca sigurie shtesë.

Snajperët do të nisin të testohen si pjesë e mobilizimit në turneun futbollistik, duke nisur nga miqësorja e kësaj të marte kundër Rusisë në “Stade de France”. Parisi u trondit nga sulmet terroriste në muajin nëntor kur transalpinët po luanin ndaj Gjermanisë në impiantin kryeqytetas, madje mes planeve të ekstremistëve islamikë ishte dhe shpërthimi në stadium.
 
Tashmë do të angazhohen shërbime shtesë të inteligjencës dhe snajperë të zgjedhur që do të vendosen të kamufluar në pikat më të larta pranë qendrave sportive.
 
“Do të kemi snajper të vendosur pranë stadiumeve, ndërsa një skuadër elitare e policisë franceze do të dislokohet pranë vendit ku do të zhvillohet miqësorja, e gatshme të ndërhyjë në çdo moment. Këto masa sigurie janë të ngjashme me ato që morëm për ndeshjet e kombëtares së regbisë”, tha një zyrtar i Federatës franceze të Futbollit.

Top Channel