Gara e Bahreinit, ja çfarë duhet të dini

28/03/2016 00:00

Të dielën e 3 prillit, kampionati i Formula 1 do të ndalet në Bahrein në garën për Çmimin e dytë të Madh.

Kjo pistë u bë pjesë e kampionateve të Formula 1 në vitin 2004 dhe Michael Schmumacher ishte piloti i parë që u shpall kampion këtu, megjithatë, në vitet në vazhdim ky cirkuit ka dhuruar spektakël dhe të gjithë pilotët e mëdhenj të viteve të fundit janë shpallur fitues të paktën një herë.

Si pjesë e Bahreinit, vend i vogël arab në Gjirin Persik në këtë garë ndalohet festimi në fund me alkool për të respektuar ligjet dhe traditat vendase, ndaj shampanja tradicionale e festës zëvendësohet nga një prodhim vendas joalkoolik me bazë uji.

Cirkuiti është dizejnuar nga Hermann Tilke, njëri prej arkitektëve më të pëlqyer nga FIA. Vulën e tij mban edhe ai i Sepangut në Malajzi, ku gara e parë është zhvilluar në vitin 1999.

Pista është e gjatë 5,421 metra dhe ka 15 kthesa, nëntë në të djathtë dhe gjashtë në të majtë. Katër janë pjesët e drejta, ku më e gjata është 1,090 metra. Këtu është edhe zona kryesore e sistemit DRS gjatë garës.

Në zonat më të rrezikshme të cirkuitit janë vendosur goma, në total 82 mijë të tilla. Përveç gomave janë të mbjella edhe rreth 400 palma.

Ndryshe nga pistat tradicionale dhe në besnikëri të stilit të Tilkes, kthesat në pistën e Bahreinit janë më të pakta. Njërës prej tyre, pikërisht asaj që vjen fill pas startit të garës, iu vendos emri Michael Schumacher në vitin 2014, në nder të pilotit gjerman.

Në 2011 gara për Çmimin e Madh të Bahreinit u anulua pas protestave që pushtuan vendin e vogël arab në valën e asaj që më vonë do të quhej “Pranvera arabe”.

Në 72.2 përqind të rasteve, piloti që ka fituar në këtë garë është shpallur kampion bote në fund të sezonit.

Pista ndodhet në mes të shkretëtirës dhe stuhitë rënore kanë shkaktuar edhe probleme. Në 2009, testimet parasezonale u anuluan për shkak të një stuhie.

Në 2014 u zhvillua gara e parë nën ndriçim artificial duke e bërë Bahreinin pistën e tretë pas Singapore Marina Bay dhe Yas Marina në Abu Dhabi, që zhvillon një garë natën. Gjithë sistemi i ndriçimit ka kushtuar 13 milionë euro.

Top Channel