Kosovë, përkujtohen masakrat e luftës. Veseli: Do të kërkojmë drejtësi

28/03/2016 00:00

Që prej 28 marsit 1999 e për çdo vit me radhë, kjo datë e gjen Fate Shalën në varrezat e fshatit Izbicë në Skënderaj. Pranë varrit të burrit të saj Haxhi Shala, që forcat paramilitare serbe e masakruan bashkë me 146 civilë të tjerë, në mesin e të cilëve edhe fëmijë të vegjël, gra e pleq.

Fatja rrëfen atë që ka ndodhur 17 vite më parë.

“Burrin tim e kanë vrarë me nënën e tij, te shtëpia në Leqinë. Në shtëpi i kanë vrarë, i kanë djegur dhe veç eshtrat ua kemi gjetur burrit tim e vjehrrës. Unë kam ikur, më kanë zënë e më kanë rrahur. Kam edhe shenja në trup, të gjitha prej ushtarakëve serbë”, tha Fate Shala, banore e Izbicës.

Civilët e masakruar u përkujtuan këtë të hënë në fshatin Izbicë, ndërsa komuna Skënderaj e rajonit të Drenicës shënon ditën e martirëve, në nderim të një mijë të rënëve të saj.

Në emër të autoriteteve shtetërore, kryetari i Kuvendit u premtoi familjarëve të viktimave se, nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për civilët e vrarë në të gjithë Kosovën.

“Jemi duke përkujtuar Izbicën, Mehën, Reçakun, Krushën, Mitrovicën, Podujevën, Suharekën, të gjitha ato masakra, të cilat 17 vite më parë u shkaktuan nga forcat serbe, u shkaktua kundër nesh vetëm pse ishim shqiptarë, kundër nesh vetëm pse donim të ishim të lirë”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Agjencia shtetërore e Arkivave të Kosovës ka përllogaritur se, nga janari i vitit 1998 deri në qershor të 1999-s, në Kosovë janë vrarë e masakruar 11.840 persona gjithsej.

Top Channel