Kosovë, njihuni me fortesën e fshehur të shekullit të V-të pranë Prishtinës

28/03/2016 00:00

Në fshatin Bardh i Madh, rreth 20 km larg Prishtinës, pak banorë ndoshta e mbajnë mend, që nën kodrëm e mbular me shkurre ndodhen rrënojat e një fortese të rëndësishme dardane.

Pas nxjerrjes së artefakteve në vitet ’70, gërmimet e fundit në këtë vendndodhje arkeologjike të shekullit VIII-V para Erës sonë janë kryer në 2005-n, e më pas gjithçka është lënë në harresë.

“Po, këtu janë bërë disa gërmime para luftës. Por, nuk është punuar më në të”, tha Nysret Trumkolli, banor i Bardhit të Madh.

Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha shpjegon rëndësinë arkeologjike të kështjellës prej rreth 3.500 metrash katrorë, ku fshihen gjurmë të parahistorisë.

“Karakteristika e kësaj vendndodhjeje arkeologjike kanë të bëjnë me periudhën e parahistorisë. Konkretisht me periudhën e metaleve, e karakterizohet me periudhën e hekurit, por nuk përjashtohet mundësia edhe për kohë më të hershme si ato të bronzit dhe bakrit. Megjithatë, ajo e hekurit është e dëshmuar”, tha Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Ndër artefaktet e zbuluara dikur, nën këtë kodër, janë enë të llojeve të ndryshme, mjete pune për bujqësinë e blegtorinë, të cilat presin të ekspozohen në Muzeun e Kosovës.

“Gjetjet më karakteristike janë të fushës së poçarisë. Është një karakteristikë që veçohet kjo në kulturën tipike dardane. Kemi mjaft poçari të kualitetit shumë të mirë të asaj kohe. Pjesa e gatshme për ekspozim do të dorëzohen drejtpërsëdrejti në muze. Ato janë të paketuara, por nuk e kanë parë dritën e prezantimit”, tha më tej Enver Rexha.

Që kjo fortesë e varrosur të dalë në sipërfaqe e të bëhet një pikë e vizitueshme arkelogjike për turistët, duhet të gërmohet për struktura të qëndrueshme. Një plan i tillë ekziston, por në Institutin Arkeologjik të Kosovës thonë se, vonesat po ndodhin vetëm për shkak se arkeologët janë të zënë duke gërmuar në vende të tjera.

Top Channel