Wenger do të rinovojë me Arsenalin për 2 vjet

28/03/2016 14:40

Arsene Wenger mund të rinovojë kontratën me Arsenalin, edhe pse prania e tij në pankinën e “Topçinjve” së fundmi u vu shumë në diskutim. Këto janë zërat e fundit që qarkullojnë në ambientet e klubit londinez në lidhje me të ardhmen e teknikut francez që është në drejtimin e kësaj skuadre që nga viti 1996.

Kontrata e Arsene Wenger me Arsenalin skadon në verën e viti të ardhshëm dhe mendohet se ai do ta zgjasë atë edhe për 2 vjet të tjerë, deri në vitin 2019. Në fakt, Wenger, kur nënshkroi kontratën e tij në vitin 2014 edhe për 3 sezone, kishte deklaruar se në vitin 2017 do të largohej nga Arsenali, por mesa duket ka ndërruar mendje.

Në fakt, rinovimi i Wenger me Arsenalin u bë fakt i kryer në muajin janar përpara se skuadra londineze të përballej me Barcelonën në Ligën e Kampioneve. Por pas humbjes me katalanasit dhe pas rezultateve jo të kënaqshme në Premier League, pozitat e francezit filluan të tronditeshin ndjeshëm, madje tifozët nuk ngurruan të kërkonin largimin e tij të menjëhershëm.

Duket se kjo situatë është qetësuar pasi Wenger ka nisur punën për projektin e ri të skuadrës.

Top Channel