Valls garanton: “Zonat e tifozëve”, të sigurta

28/03/2016 12:35

“Zonat e Tifozëve” do të jenë po aq të sigurta sa hyrjet dhe daljet në stadiume të personave që do ndjekin ndeshjet e “Euro 2016”.

Garancia vjen nga kryeministri francez Manuel Valls, i cili u përgjigj për shqetësimet e ditëve të fundit në lidhje me këtë aspekt të evenimentit. Shqetësimi për sigurinë në zonat ku do të qëndrojnë tifozët e 24 skuadrave pjesëmarrëse të Evropianit u rritën shumë pas sulmeve terroriste të 13 nëntorit në Paris dhe atyre të javës së kaluar në Bruksel. Por Valls tha se të gjitha “zonat e tifozëve” do të kenë të njëjtën vëmendje nga forcat e sigurisë si stadiumet.

“Presim që 7000-8000 njerëz të ndjekin “Euro 2016” dhe të gjithë këta do jenë vetëm në “Zonat e Tifozëve”, tha Valls.

Kryeministri theksoi se shpreson që ky turne të inkurajojë turistët që të vijnë në Francë, numri i të cilëve ka rënë pas sulmeve të nëntorit, kur mbetën të vrarë 130 persona. Në këto sulme, 3 persona shpërthyen veten jashtë ambienteve të “Stade De France”, ku do të  luhet edhe ndeshja e hapjes së Evropianit. Valls konfirmoi se impiantet do të jenë të mbrojtura dhe kujtoi se ata që kryen sulmet e 2015-s nuk mundën dot të hynin në të.
 
51 ndeshjet e “Euro 2016” do të luhen në 10 stadiume dhe mendohet se numri total i tifozëve në to do të jetë 2.5 milionë persona. Mesatarisht në këto impiante do të angazhohen 900 forca policore, të cilëve do t’u bashkohen edhe 200 punonjës sigurie vullnetarë dhe 80 mjekë.

Top Channel