Baku, pista më e shpejtë në botë

27/03/2016 00:00

Arkitekti i njohur i ndërtimit të pistave të Formula 1, Herman Tilke vlerësoi projektin e implementuar në kryeqytetin e Azerbajxhanit, duke e cilësuar Baku, si cirkuitin më të shpejtë në botë mes atyre që janë ndërthurur në qytet.

Për herë të parë një Çmim i Madh në Formula 1 do të zhvillohet në këtë shtet më 19 qershor të këtij viti, dhe pritshmëritë e drejtuesve dhe organizatorëve janë të larta.

Arkitekti Tilke dhe skuadra e tij nisën punën në vitin 2014 për ndërtimin e pistës në qytet dhe për gjermanin, nuk ka një tjetër panoramë si kjo sportive në botë.

“Baku do të jetë cirkuiti më i shpejtë në planet nëse llogaritim ato që janë ndërtuar në qytet. Do të kalojë në qendrën historike dhe do të krijojë një atmosferë unike për tifozët që do ta shikojnë direkt në shkallët e impiantit dhe për ata që do ta ndjekin nga ekrani i vogël. Nuk ka pistë si kjo në Baku, do të jetë një nga më emocionueset e kalendarit edhe pse nuk krahasohet me cirkuitet e përhershme të Formula 1”, tha Herman Tilke.

Artkitekti gjerman shtoi se në Çmimin e Madh të Azerbajxhanit, një xhiro për pilotët pretendentë do të bëhet në 1 minutë e 41 sekonda edhe pse gjithmonë do të varet nga zhvillimi i makinave dhe aftësitë në timon.

Top Channel