Courtois “hap” portën: Nuk e di nëse mbetem te Chelsea

27/03/2016 00:00

Portieri i Chelseat, Thibaut Courtois, ka shtuar në mënyrë të papritur spekullimet për të ardhmen e tij, duke lënë të hapur mundësinë e largimit nga “Stamford Bridge”.

Mbrojtësi ekstrem që konsiderohet mes më të mirëve në botë në rolin e tij, nuk pranoi ti përkushtojë të ardhmen “bluve” të Londrës, që janë së fundmi në një krizë rezultatesh dhe ndryshimesh në pankinë.

Thibaut Courtois u kërkua me ngulm të rikthehej nga huazimi kur ekipi drejtohej nga Jose Mourinho por me portugezin të shkarkuar muaj më parë, edhe belgu po vlerëson ofertat për tjetër klub, duke nisur nga qershori.

Chelsea ndodhet aktualisht në vendin e 10 në Premier Ligën angleze dhe pavarësisht një trajneri me eksperiencë si Hiddink, ekipi ndodhet jashtë betejës për një vend në kupat europiane. Courtois është përfolur se mund të rikthehet në Madrid por këtë herë me fanelën e Realit.

“Nuk dua të them as po dhe as jo nëse do të qëndroj te Chelsea sezonin tjetër. Unë kam ende 3 vjet të mbetur në kontratë por duhet të shikoj se çfarë kërkon klubi nga unë pasi ky sezon më ka ndryshuar. Deri tani kam fituar një trofe në çdo vit por të shpresojmë se gjërat do përmirësohen”, tha Courtois për televizionin belg “RTBF”.

Portieri që përgatitet të përballet me Portugalinë mbrëmjen e së shtunës në Leiria, nënvizoi gjithashtu diçka që në Londër nuk do ta pëlqejnë, niveli i stërvitjes në kombëtaren belge është shumë më i lartë se në “Stamford Bridge”.

Top Channel