Testi i Austrisë, kombëtarja ende me “muskuj të ftohtë”

27/03/2016 00:00

Të jesh lojtar i përfaqësueses shqiptare kupton që ndeshjet në transfertë apo në shtëpi, janë thuajse njësojë të paktën sa i përket mbështetjes dhe atmosferës që krijojnë “Tifozët Kuq e Zi”.

Ka filluar zyrtarisht faza përgatitore e Europianit francez me një humbje për Shqipërimë e De Biasit. Dhe më shumë se sa rezultati, gabimet e bëra ndaj Austrisë ishin gabime që nuk ishin parë nga mbrojtja shqiptare, të paktën gjatë gjithë eliminatoreve që na kualifikuan për në Francë.

Mungesa prej 6 muajsh e dyshes Cana-Mavraj në qendër të mbrojtjes solli një problem të dukshëm edhe në golat e pësuar.

“Loriku më tha ‘ke kohë, je vetëm“ prandaj e lash topin“, tha Mavraj, ndërsa në lidhje me këtë episod kapiteni Cana u shpreh: “Komunikova në mënyrë të gabuar me të dhe ai e interpretoi ndryshe. Nuk jemi mbrojtur mirë dhe më shumë marr përgjegjësi unë se ai sepse mënyra se si komunikova me të nuk ishte e duhura”.

Edhe testi i De Biasit me një mesfushë revolucionare, me arsyetimin e aktivizimit të lojtarëve me më tepër minuta nëpër kampionatet respektive, nuk dha rezultatin logjik. Tek kombëtarja jonë me sa duket jo kush luan më tepër me klubin e tij, mund të jetë më i miri edhe me përfaqësuesen.

Në pjesën e dytë, me aktivizimin e skuadrës bazë që kemi zhvilluar deri më tani ndeshjet më të mira eliminatore, ndoshta rezultati vërtet nuk u përmbys, por loja sigurisht që po. Goli i Lenjanit ngushtoi diferencën e golave ndërsa Cikalleshi, Roshi, Kukeli, Basha dhe Sadiku, i dhanë një tjetër fytyrë Shqipërisë në “Ernst Hapel”.

Por nëse Shqipëria në fushën e blertë ende nuk është gati, ajo nëpër tribuna është në kulmin e saj. Ndalesa e rradhës do të jetë Luksemburgu, një kundërshtar më i lehtë në letër, por që gjithësesi ne jemi Shqipëria dhe si të tillë nuk kemi luksin të nënvlerësojmë askënd.

“Për mua ishte një test i rëndësishëm për të bërë disa verifikime, që i bëra sigurisht. Jepini edhe ju konkluzionet tuaja janë gjëra që kuptohen. Kam bërë eksprimente për të kuptuar nëse mund të luajmë në një mënyrë apo ndonjë tjetër”, u shpreh De Biasi.

Top Channel