Shtyhet fluturimi i kombëtares. Refuzon kompania: S’ka vend për të gjithë në avion

27/03/2016 00:00

Përfaqësuesja shqiptare ka anuluar udhëtimin për në Luksemburg ditën e diel për shkak të një incidenti që ka ndodhur me procedurat e kompanisë, e cila kishte marrë përsipër transportin.

Pasi ka zhvilluar një seancë stërvitore paraditen e sotme në Vjenë, përfaqësuesja kuqezi në mesditë është nisur drejt aeroportit për të udhëtuar drejt Luksemburgut.

Sipas komunikimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, në momentin e procedimit me biletat, 3 persona nuk kanë mundur të pajisen nga delegacioni. Pavarësisht negociatave, kompania nuk ka pranuar asnjë formë zgjidhjeje duke detyruar më pas drejtuesit e federatës që të kthejnë të gjithë skuadrën mbrapa e të refuzojnë udhëtimin ditën e diel siç ishte parashikuar.

Po sipas FSHF, përfaqësuesja do të zhvillojë ditën e nesërme një seancë stërvitore sërish në Vjenë dhe rreth orës 15:00 do të niset drejt Luksemburgut.

Ndeshja miqësore mes Luksemburgut dhe Shqipërisë do të zhvillohet ditën e martë, më 29 mars në orën 20:15. Ndërkohë FSHF-ja njofton edhe për nisjen e procedurave ligjore ndaj kompanisë që shkaktoi këtë dëm moral dhe financiar ndaj përfaqësueses shqiptare të futbollit.

Top Channel