Greqi, protestë kundër refugjatëve në Veria. Merr pjesë edhe AA

27/03/2016 00:00

Dhjetëra banorë të një fshati pranë Verias kanë protestuar për mbërritjen e një autobusi me refugjatë, që do të strehohen në një kapanon të ushtrisë në këtë zonë.

Të udhëhequr edhe nga një prift, ata kanë shprehur kundërshtimin e tyre, që në këtë vend do të jetojnë – qoftë dhe përkohësisht, – njerëz që nuk i përkasin besimit ortodoks, ndërsa siç kanë theksuar disa media, në mes të protestuesve ka pasur shumë anëtarë të “Agimit të Artë”.

“Pranë kishës së profetit Ilia është një manastir, ku ndodhet një murgeshë. Nëse i preket një fije floku do të bëhet nami”, tha prifti.

Pasi i kanë prerë rrugën autobusit për dhjetë minuta, në fund ata kanë hedhur në shenjë përbuzjeje në rrugë disa koka derri të prera, ndërsa e gjithë protesta është dënuar nga shumica e banorëve të Verias, të cilët kanë treguar si shembull humanizmin e pjesës dërrmuese të grekëve ndaj refugjatëve.

Ndërkohë mëngjesin e së dielës, duke dëgjuar spekulimet e orëve të fundit, dhjetëra emigrantë dhe refugjatë, të cilët ishin larguar nga kampi provizor i Idomenit, janë nisur përsëri drejt tij në këmbë, duke krijuar një situatë konfuze dhe të tensionuar, e duke penguar autoritetet greke që po përpiqen ta evakuojnë atë.

Në spekulime shtohet edhe thirrja në rrjetet sociale për marshim proteste, që do të detyrojë autoritetet e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë të hapin kufirin.

Koordinatori i qeverisë për Refugjatët, Giorgios Kyritsi ka deklaruar se janë disa organizata joqeveritare, veprimtaria e të cilave po hetohet edhe nga policia greke, që luajnë me fatin e mijëra njerëzve.

Me gjithë kushtet dramatike dhe situatën e rënduar psikologjike, buzëqeshje të përkohshme ka sjellë të shtunën lindja në këtë kamp, pranë shinave të trenit, e një foshnjeje nga një grua siriane. “Mjekët pa kufij” i kanë dhënë ndihmë më pas 25-vjeçares nga Kobani, duke e çuar në spital bashkë me vajzën e saj të vogël, fëmija e tretë e familjes, por e para e lindur në tokë europiane.

Top Channel