Shqipëria gabon, ringrihet dhe humbet me Austrinë

26/03/2016 19:25

Shqipëria ka humbur me një gol diferencë në ndeshjen miqësore përballë Austrisë, në stadiumin “Ernst Happel” të Vjenës.

Kanë qenë të zotët e shtëpisë të cilët kanë kaluar të parët në avantazh, me një gol të Marc Janko, në minutën e ‘6, që përfitoi nga një mosmarrëveshje e mbrojtësve kuqezinj.

Shtatë minuta më vonë ka ardhur dhe dyfishimi i rezultatit, që këtë herë mban firmën e Harnik. Në fillim të pjesës së dytë, shqiptarët kanë kaluar në ofensivë dhe përpjekjet e tyre janë kurorëzuar në minutën e ’47.

Goditja e Ermir Lenjanit brenda zonës ka qenë e pamundur të pritej nga mbrojtësi i portës austriake. Vendasit janë përpjekur sërish të thellojnë avantazhin, por mbrojtja e drejtuar nga kapiteni Cana është treguar në lartësinë e duhur.

Në minutën e ’78, Shqipëria është ndëshkuar nga kartoni i dytë i verdhë për Ergys Kaçen, që është detyruar të lërë fushën e lojës.

Pjesa e mbetur e ndeshjes, që ka parë edhe mbrojtjen kuqezi të avancojë përpara, ka vijuar me rezultat të pandryshuar, kjo edhe falë portierit Etrit Berisha që në sekondat e fundit ka penguar realizimin e golit të tretë për austriakët.

Takimi i ardhshëm me kombëtaren do të jetë më 29 mars, përballë Luksemburgut.

Top Channel