F1, guida e Hulkenberg në Bahrein

26/03/2016 00:00

Një xhiro në pistën e Sakhir në bordin e një makine të Formula 1. Këtë ka rezervuar për tifozët e tij piloti i Force India, Nico Hulkenberg në vigjiljen e garës pranë shkretëtirës që do të mbahet më 3 prill.

Premiera e këtij botërori në Melbërn i dha 6 pikë pilotit në fjalë me vendin e shtatë në tokën e kangurëve. Por tani me temperaturat dukshëm më të larta, Hulkenberg e ka shtuar ambicien brenda ekipit me pretendime modeste.

“Sigurisht që jemi në shkretëtirë dhe rëra është një prej elementëve të cilët duhet të llogarisë çdo pilot së bashku me fuqinë e erës. Lindja e Mesme është një rajon shumë i nxehtë që ishte faktor vendimtar në rezultatet e garës, por tani me Çmimin e Madh që zhvillohet natën, atmosfera është fantastike, njësoj si në përrallat e ‘Një mijë e një netëve’”, tha Nico Hulkenberg.
 
“Nëse nisim një xhiro në pistë do të shikojmë që shpejtësia varion shumë, nga 330 kilometra në orë, me zbritje në 50 kilometra me marshin e dytë. Dalja e kthesave është shumë e vështirë dhe duhet të luftosh që të ruash edhe gomat”, tha Nico Hulkenberg që kaloi më pas në detaje të cirkuitit të Sakhir.
 
“Drejtimi i erës është me një impakt të madh sepse mund të ndihmojë me drejtimin e makinës. Përgjithësisht Bahreini është një pistë shumë teknike dhe duhet të jesh i duruar si pilot pasi përballesh me sfida. Në kthesën e 10 për shembull ka një shikueshmëri të ulët dhe ka kombinime të disa faktorëve”, u shpreh piloti i Formula 1.

Top Channel