Gjermani-Angli, siguri shtesë në “Olympiastadion”

26/03/2016 00:00

Të gjithë tifozët presin që Gjermania dhe Anglia të dhurojnë spektakël në miqësoren e futbollit mes tyre këtë fundjavë në Berlin, dhe trajneri i kampionëve të botës e di mirë forcën e kundërshtarëve.  

Joakim Loev ka theksuar se “tre luanët” janë përmirësuar dukshëm me trajnerin Roy Hodgson dhe të shtunën do të jetë e vështirë që edhe për një ekip si “panxerat”, të shënojnë gola.
 
“Anglia aktuale është e organizuar shumë mirë dhe ndaj këtyre ekipeve është e vështirë të shënosh gola. Si kjo miqësore ashtu edhe ajo ndaj Italisë të martën do të luhet në një shpirt të lartë gare pasi janë teste të vërteta për Europianin 2016”, tha trajneri i kombëtares gjermane.
 
Siguria do të jetë një çështje shumë e nxehtë në “Olimpyastadion” të Berlinit, pas atentateve në Bruksel që shkaktuan viktima dhe të plagosur.

“Asnjë nga ne nuk dëshiron të luajë në një stadium të boshatisur por do të ishte e tmerrshme për të gjithë nëse ndodh diçka e pakëndshme. Jam i sigurt se gjërat do të shkojnë mirë si në fushë ashtu edhe jashtë saj”, tha trajneri Joakim Loev.
 
Kjo do të jetë hera e 34-t që Gjermania përballet me Anglinë dhe nga ky bilanc formacioni i “panxerave” ka fituar 12 herë, ka barazuar 6 dhe ka humbur 15 ndeshje ndaj ishullorëve.

Herën e fundit që dy skuadrat u takuan, vendosi një gol i Per Mertesaker në stadiumin “Uembli” në Londër.

Top Channel