Dënimi i Karaxhiç, Beogradi zyrtar e quan “drejtësi selektive”

25/03/2016 00:00

Qeveria e Serbisë e konsideron të padrejtë aktgjykimin ndaj ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, i dënuar nga Gjykata e Hagës me 40 vite heqje lirie për “gjenocid” dhe “krime ndaj njerëzimit”.

Pas një mbledhjeje të qeverisë është thënë se, Serbia ndjen keqardhje për të gjitha viktimat nga të gjitha anët, por pa distancim të qartë ndaj krimeve.

“Asnjë popull nuk ka fajësi kolektive dhe ne do të ndjekim një politikë pajtimi, duke shpresuar se edhe të tjerët do të bëjnë të njëjtën gjë. Por Qeveria e Serbisë konsideron se, drejtësia e dënimit vetëm të pjesëtarëve të një populli, për krimet që i kanë bërë të gjithë, është në fakt selektive”, tha Nikola Selakoviç, ministër i Drejtësisë.

Edhe përse të kujdesshëm, zyrtarët serbë kanë komentuar megjithatë aktgjykimin, duke thënë se Gjykata e Hagës ka lënë një shije të hidhur.

Kryeministri serb ka takuar patriarkun e Kishës Ortodokse, Irinej, e duke komentuar ka thënë se, Kisha ka ndihmuar mbijetesën e popullit serb, sidomos në Kroaci dhe në Kosovë. Sipas Aleksandar Vuçiç, Serbia e respekton Bosnjën, por edhe serbët atje.

Top Channel