Kombëtarja mbërrin në Austri, ja si e presin tifozët

25/03/2016 00:00

Tanimë është e qartë se çdo kryeqytet i Europës duket i njëjtë për lojtarët e kombëtares shqiptare të futbollit.

Lojtarët  dhe stafi i kombëtares mbërritën pasditen e së premtes në aeroportin e Vjenës, ndërsa rreth orës 18:00 janë akomoduar në hotelin “Hilton Vienna Danube”, ku janë pritur nga dhjetëra tifozë të veshur me ngjyrat kuqezi, ata takuan idhujt e tyre në aeroport, të cilët nuk nguruan të bënin foto e të jepnin autografe.

Tifozët shqiptarë pritet të jenë të shumtë në numër edhe ditën e nesërme në stadiumin në “Ernst Happel Stadium”, ku do të zhvillohet ndeshja miqësore me Austrinë.

Sipas mediave austriake, pak orë përpara sfidës në stadium, ishin shitur 25 mijë bileta, nga afro 51 mijë vende që është kapaciteti total i impiantit.

Plot 7 mijë vende janë për tifozët e Shqipërisë. Shifrat pritet të ndryshojnë, megjithatë të besuarit e Gianni De Biasit do të kenë mbështetjen e madhe të fansave, të cilët do të përbëjnë 1/3-ën e stadiumit.

Top Channel