Kosovë, 4 kandidatë për ambasadorë dalin para komisionit parlamentar

25/03/2016 00:00

Komisioni parlamentar për Punët e Jashtme të Kosovës ka marrë në pyetje 4 kandidatë, të propozuar për ambasadorë të rinj të Kosovës nëpër vende të ndryshme të botës.

I ngarkuari me punë në Ambasadën kosovare në Shqipëri, Ramiz Lladrovci ishte kandidati i parë, i cili iu nënshtrua marrjes në pyetje për ambasador fuqiplotë në Tiranë.

Lladrovci është duke e ushtruar detyrën e ambasadorit në Tiranë që nga muaji gusht i vitit 2014, kur ambasadori Sylejman Selimi u kthye në Kosovë, për t’u gjykuar nën akuzë e “krimeve të luftës”.

Pas Lladrovcit, Komisioni parlamentar ka intervistuar edhe 3 kandidatë të tjerë. Qëndrim Gashi, i cili është kandidat për ambasador të Kosovës në Francë, Skënder Durimishi për Podgoricën dhe Lulzim Hiseni për ambasador në Kanada.

Marrja në pyetje e kandidatëve për ambasadorë, sipas ligjit të Ministrisë së Jashtme është bërë pa praninë e medieve.

Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme, Enver Hoxhaj tha se, pas intervistimit të kandidatëve, komisioni përgatit raportin, të cilin ia dërgon Presidentit, kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, të cilët vendosin më pas dhe dekretojnë ambasadorët e rinj.

Top Channel