Maqedoni, dënohen 6 prej të akuzuarve të rastit “Celula”. Luftuan në Siri

25/03/2016 00:00

Gjykata Penale në Shkup ka dënuar 6 nga 11 të akuzuarit në rastin “Celula”. Me 7 vite burg është dënuar imami nga Shkupi, Rexhep Memishi, i cili pranoi akuzën për pjesëmarrje në luftën në Siri dhe për përgatitjen e ushtarëve për këtë konflikt të armatosur.

Pesë të dënuarit e tjerë u dënuan me nga 5 vite burg, pasi pranuan se kanë qenë pjesë e një grupi, që ka organizuar pjesëmarrjen e ushtarëve nga Maqedonia në betejat e armatosura në Siri.

“Pas analizave të detajuara nga ana e të akuzuarve dhe avokatëve të tyre, arritëm në një vendim të përbashkët për pranimin e fajit. Megjithatë, deklaratat për pranimin e fajësisë janë vullnetare dhe janë dhënë me vetëdije, nuk janë marrë me detyrim ose me dhunë”, tha Angel Georgiev, avokat.

Ndërkohë, për 5 të akuzuarit e tjerë që nuk e kanë pranuar fajin, procesi gjyqësor do të vijojë. Avokatët mbrojtës thonë se, për gjykimin e tyre nuk ka prova dhe se, aktakuza është e pabazë.

“Prokurori ofroi 1.154 dëshmi, një numër shumë i madh. Megjithatë, ai nuk ka saktësuar konkretisht se, me cilin të akuzuar apo me cilën vepër kanë të bëjnë dëshmitë”, tha Efto Spirovski, avokat.

Të akuzuarit në rastin “Celula” u arrestuan nga policia maqedonase në gusht të vitit të kaluar, ndërsa shumica e tyre janë shqiptarë.

Top Channel