Kosovë, përçahet opozita. Shtyhet protesta e programuar për të shtunën

25/03/2016 00:00

Tri partitë opozitare në Kosovë kanë anuluar protestën antiqeveritare të lajmëruar për ditën e shtunë në sheshin “Skënderbej” në Prishtinë.

Tre kryetarët e subjekteve opozitare, – respektivisht Visar Ymeri i Lëvizjes Vetëvendosje, Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj i Nismës për Kosovën, – u mblodhën në një takim të papritur në mjediset e një lokali në Prishtinë, pikërisht në kohën që duhej të ishin duke mbajtur një konferencë për shtyp në lidhje me protestën.

Pas takimit, udhëheqësit opozitarë nuk pranuan të sqarojnë se çfarë po ndodh në bllokun opozitar, por thanë se protestën do ta shtyjnë për një kohë të pacaktuar.

“Pas konsultave që kemi bërë së bashku, partitë opozitare, duke ditur që Kosovën po e presin ditë të rënda e të vështira, që kapja e shtetit është thelluar, që problemet e lindura nga marrëveshjet e gabuara vetëm sa e rëndojnë Kosovën… Duke ditur edhe që në Kosovë kemi komisionin ndërkombëtar për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, të vendosur për t’i kundërshtuar këto procese kemi marrë vendimin, që protestën e paralajmëruar për nesër ta shtyjmë për një datë tjetër”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Pas Haradinajt, kreu i Vetëvendosjes Visar Ymeri nuk foli fare, ndërsa Limaj tha se protestat do t’i vazhdojnë në të ardhmen.

Por burime të Top Channel brenda takimit kanë treguar se, arsyeja e anulimit të protestës ka qenë dorëheqja e deputetes së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, dhe deklarimet e sekretarit të Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, gjatë një emisioni televiziv se, në zgjedhjet e ardhshme nuk do të hynë në koalicion parazgjedhor me partitë e Ramush Haradinajt dhe të Fatmir Limajt.

Dallimet mes bllokut opozitar në Kosovë, të cilët së bashku kanë penguar me gaz lotsjellës e metoda të tjera seancat e Kuvendit, duke kërkuar tërheqjen e marrëveshjeve me Serbinë e Malin e Zi muajt e fundit, filluan të shfaqen hapur në momentin kur u vendos bojkotimi i Kuvendit, teksa AAK dhe Nisma u deklaruan për bojkot të plotë, ndërsa Vetëvendosje ishte për një bojkotim selektiv të seancave.

Top Channel