Kombëtarja, jo më surprizë, Bushi: Me Austrinë për fitore

25/03/2016 00:00

Problemi më i madh aktualisht në kombëtaren shqiptare është mosaktivizimi i plotë i lojtarëve tanë në klubet ku ata aktivizohen gjatë vitit. Pavarësisht kësaj stafi, teknik i përfaqësues “Kuqezi” ka gjetur mënyra për të mbajtur në formë këta futbollistë.

“Nuk është gjë e mirë për një ekip kombëtar, sidomos një ekip kombëtar që do të shkojë në Francë. Gjithmonë lojtarët e ekipit kombëtar duhet të luajnë pothuajse çdo ndeshje. Mendoj që edhe stërvitja dhe këto dy ndeshje miqësore, do të ndihmojë lojtarët që nuk kanë luajtur për të rekuperuar minutat që nuk kanë luajtur me ekipet e tyre”, thotë Alban Bushi, menaxher i Kombëtares.

Përsa i përket miqësores me Austrinë, një kundërshtar i fortë për tanët, menaxheri i kombëtares pohon se kuqezinjtë do të futen në fushë për fitore.

“Është një grup që ka kohë që është bashkë. Rezultati nuk është se na jep diçka, por duhet të fitojmë pasi është çështje mentaliteti”, thotë ai.

Ish-sulmuesi i Kombëtares, aktualisht në rolin e menaxherit të saj nuk pajtohet me lojtarët kuqezi, të cilët gjatë konferencave të fundit kanë folur për një suprizë në Francë 2016.

“Suprizë ishte që u kualifikuam në kampionatin europian, nëse kalojmë grupin nuk është më surprizë”, deklaron ai.

Top Channel