Sulmet terroriste, Çollaku: Vështirësojnë integrimin dhe lëvizjen pa viza

25/03/2016 14:20

Ngjarjet e fundit terroriste në Bruksel po ngjallin frikë tek institucionet e Kosovës, sa i takon procesit të liberalizimit të vizave.

Ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku ka thënë për Top Channel se, përveç krizës së refugjatëve, tani është shtuar edhe terrorizmi si fenomen kërcënues, që po shqetëson vendet anëtare të Bashkimit Europian.

“Këto fenomene dhe aktet terroriste e vështirësojnë në një masë jashtëzakonisht të madhe integrimin dhe lëvizjen e lirshme e pa viza të qytetarëve, në këtë rast të Kosovës, por edhe të shteteve të tjera që aspirojnë të përfitojnë nga ky proces”, tha Bekim Çollaku, ministër i Integrimit Europian.

Megjithatë Kosova, sipas ministrit Çollaku, i ka plotësuar të gjitha rekomandimet e kërkuara për heqjen e vizave, ndërkohë që ekspertët europianë, të cilët qëndruan në Kosovë, pritet të rekomandojnë edhe më shumë punë në ndërtimin e historikut të mirëfilltë, sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Gjetjet fillestare janë pozitive dhe kjo më bën të besoj se, edhe raporti që do të dalë nga ky mision vlerësues, patjetër që pritet të jetë pozitiv. Ky do të jetë momenti vendimtar, që pastaj do t’i mundësojë Komisionit Europian të lëvizë përpara, me dhënien e rekomandimit për liberalizimin e vizave për Republikën e Kosovës”, tha më tej ministri Bekim Çollaku.

Çollaku beson se, raporti i ekspertëve europianë do të publikohet gjatë muajit prill dhe më pas i mbetet Komisionit Europian të vendosë për rekomandimin e liberalizimit të vizave për kosovarët.

Top Channel