Mjeti del nga rruga; 3 viktima

25/03/2016 09:15

Tre të rinj humbën jetën në një aksident të ndodhur në aksin Lushnje-Kavajë në vendin e quajtur “Degëzimi i Gosës”.

Viktimat janë tre të rinj 22, 27 dhe 32 vjeç dhe sipas policisë udhëtonin gjatë natës me autoveturën e markës Ëolksëagen Golf me targë AA 958 HY për në aeroportin e Rinasit.

Për arsye ende të panjohura mjeti ka ecur mbrapsht si duket për t’u parkuar në pikën e karburantit “Marsoka”, i cili ndodhet në krahun e djathtë të rrugës ku ka ndodhur ngjarja.

Për shkak të errësirës, mungesës së parmakëve mbrojtës të urës mbi kanalin në krahun e majtë të saj, mjeti ka dalë nga rruga, pas fërkimit në pjesën e poshtme të saj ku janë “të freskëta” dëmtimet e evidentuara. Më tej automjeti është përmbysur duke rënë në kanalin e mbushur me ujë.

Nga rënia me pjesën e pasme është thyer xhami i pasëm i autoveturës, e cila ka rënë në pozicionin “përmbysur” me rrotat “lartë”. Si rezultat i ujit dhe xhamave të mbyllur, drejtuesi i mjetit dhe pasagjerët nuk kanë mundur të dalin nga autovetura, duke gjetur vdekjen.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 1 të mëngjesit, por pas 7 orësh automjeti u dallua i përmbysur në ujë dhe u nxor prej andej bashkë me tre viktimat. Sipas policisë, dy të rinj, vëlla e motër nga Patosi po shkonin në Rinas me një mikun e tyre nga një fshat i Lushnjes.

FOTO GALERI
1/8
Kavajë-Rrogozhinë, mjeti del nga rruga; 3 viktima

Top Channel