Flasin shqiptarët, që u përballën me legjendën holandeze: Kur luanim me Cruyff…

24/03/2016 00:00

Ka ndërruar jetë në Barcelonë, në moshën 68-vjeçare ikona e futbollit holandez, Johan Cruyff. Ish-futbollisti i Ajaksit dhe i Barcelonës nuk arriti të fitojë luftën me sëmundjen e rëndë në mushkri, nga e cila vuante prej tetorit të vitit të shkuar.

I cilësuar ndryshe si “babai i futbollit modern”, Johan Cruyff ka fituar si futbollist 3 herë trofeun “Topi i Artë”, 3 kupa kampionesh dhe 8 tituj kampion në Holandë me Ajaksin.

Ylli i futbollit botërorë ka qenë i pranishëm edhe në Tiranë në përballjen e famshme të 17 Nëntorit me Ajaksin në vitin 1971. Edhe pse me informacion shumë të rezervuar dhe minimal, bardheblutë e dinin se me kë skuadër po përballeshin.

Ja si e kujtojnë dy nga protagonistët atë ndeshje.

Fatmir Frashëri, ish-futbollist i 17 Nëntorit: Ne kishim qejf që ta shikonin Cruyffin origjinal por nuk ishte i pa disponueshëm. Cruyffi ka qenë njëri nga futbollistët e rrallë sepse ai ishte jo vetëm lojtar teknik, por ishte edhe fizikisht i mrekullueshëm d.m.th bënte gjëra të paarritshme. E kishim dëgjuar dhe natyrisht e dinim që Cruyffi ishte më shumë e zeza jonë se fitorja e tyre.

Iljaz Çeço, ish-futbollist i Dinamos: Ai nuk luajti sepse kishte tërheqje dhe vinin njerëzit donin ta takonin, ta preknin në atë kohë sepse kishte dalë fama si njëri nga futbollistët më të mëdhenj të Europës. Markonin një me një dhe nuk dije ku ta hidhje topin, ju thosha ‘ore, avash, mos ma vetëm mua topin’. Sapo ishte konsiliduar Ajaksi, kishte shkuar trajneri rumun Kovaç më duket dhe ai i kishte mbledhur.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, në faqen e tij në “Facebook” e cilëson kështu yllin e futbollit holandez. “Muzika ndryshoi përgjithmonë falë Bitëllsave nga Liverpulit dhe mitikut Xhon Lenon, futbollit ndryshoi përgjithmonë falë Bitëllsave të Ajaksit të Amsterdamit dhe mitikut Johan Krujf!”.

Top Channel