AAK, dorëhiqet Donika Kadaj-Bujupi: S’po krijohet alternativa për ndryshim

24/03/2016 00:00

Shefja e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputetja Donika Kadaj-Bujupi ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga partia e udhëhequr prej Ramush Haradinaj.

Deputetja më e zëshme e AAK-së, e cila ka qëndruar në burg disa herë në muajt e fundit, për shkak se ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvend për të kundërshtuar marrëveshjen e Asociacionit të Komunave serbe dhe atë të Demarkacionit, ka thënë se dorëheqja e saj është e pakthyeshme.

Në dorëheqjen e saj, që ia ka dërguar “Kohavision”-it, Kadaj-Bujupi ka thënë se, veprimi i saj vjen pas vendimit të njëanshëm të AAK-së për të bojkotuar punën e Kuvendit.

“Luhatja aktuale, e sidomos marrja e vendimeve të njëanshme, të cilat po e pengojnë vazhdimisht krijimin e një alternative të fuqishme që do të niste ndryshimin, është një prej arsyeve që ka zbehur dhe dobësuar ëndrrën për ndryshim në këtë vend. Një vend, i cili nuk e meriton gjendjen në të cilën ndodhet; një ëndërr, për të cilën përherë kam sakrifikuar dhe kam qenë e gatshme të ballafaqohem edhe me burgun, edhe me çfarëdo sfide tjetër”, ka shkruar Kadaj-Bujupi në dorëheqjen e saj.

Ajo nuk e ka bërë të ditur nëse do të vazhdojë punën si deputete e pavarur, apo do t’i bashkohet ndonjë prej subjekteve të tjera politike.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka konfirmuar dorëheqjen e deputetes përmes një komunikate për mediat, ndërsa ka theksuar se AAK-ja vazhdon të jetë parti e parimeve demokratike dhe e vendimeve të forumeve të veta.

“AAK është e ndërgjegjshme për situatën tejet të ndjeshme në vend, e si rrjedhojë, shumë e kujdesshme në veprimet që merr, deri në arritjen e objektivit kryesor: ndryshimi, që duhet të ndodhë”, thuhet në komunikatën e AAK.

Top Channel