Morata: Rikthimi në Madrid, mundësi reale

24/03/2016 00:00

Paraqitja e Alvaro Moratas në ndeshjen ndaj Bajernit të Mynihut ka përforcuar edhe më shumë zërat se sulmuesi do të kalojë tek Reali i Madridit në merkaton e kësaj vere, sipas kontratës së nënshkruar mes klubit spanjoll dhe Juventusit.

Ky është sezoni i dytë i Moratas tek bardhezinjtë dhe kontrata me anë të së cilës ai kaloi në Torino i rezervon Realit të Madridit të drejtën për ta riblerë atë deri në merkaton e verës së 2017-ës. Por me vendimin e FIFA-s, që ka bllokuar merkaton e Realit për 2017 për parregullsi në transferta, “Los Blancos” mund të vendosin që të tërheqin në Spanjë sulmuesin që këtë verë.

Vetë Morata nuk përjashton këtë mundësi. Ai thotë se ndjehet mirë tek Juventusi dhe më shumë se gjithçka do të donte që të merrte fund peripecia e së ardhmes së tij.

“Nuk është e thënë që duhet të jetë me patjetër Reali. Ajo që më intereson është që të marrë fund e gjithë kjo, të di skuadrën ku do të luaj dhe të përqendrohem për vitet e ardhshme”, thotë ai.

Top Channel