40 vjet burg për Karaxhiç, fajtor për genocid dhe krime kundër njerëzimit

24/03/2016 15:40

Gjyqtarët në Gjykatën e Hagës kanë dënuar me 40 vjet burg ish-liderin e serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç, ndaj të cilit rëndonin akuza të shumëfishta.

Në leximin e vendimit, gjykatësit e kanë shpallur Karaxhiç fajtor për akuzën e genocidit për masakrën e Srebrenicës, krime kundër njerëzimit në zona të ndryshme të Bosnjes, shfarosje, shkelje të rregullave të luftës, etj.

Vetë Karaxhiç, aktualisht 70 vjeç, i mohoi akuzat e gjykatës. Ai argumentoi se, çdo mizori e kryer ka qenë veprim personal i disa individëve dhe jo të trupave nën urdhërat e tij.

Të paktën 100 mijë persona humbën jetën gjatë luftës së Bosnjes, konflikt që zgjati rreth 4 vjet, deri në arritjen e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA në vitin 1995.

Gjyqi, në të cilin Karaxhiç vetëpërfaqësohej, zgjaste prej 8 vjetësh.

FOTO GALERI
1/1
Karaxhiç, gusht 1995

Top Channel