Ideja e re e UEFA-s, Champions League me 16 ekipe

24/03/2016 13:20

UEFA po mendon krijimin e një formati të ri të Champions League. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja britanike “The Guardian”, struktura e këtij evenimenti mund të ndryshojë duke filluar nga sezoni 2018/2019.

Janë bërë disa propozime në lidhje me këtë çëshjte, por ai për të cilin po këmbëngulet më shumë është krijimi i një faze të parë të përbërë nga 16 skuadra që do të ndahen në dy grupe për të zhvilluar ndeshje me sistem vajtje-ardhje dhe çdo grup do të luajë 14 përballje.

Ky sugjerim do të thotë reduktim të skuadrave pjesëmarrëse në ngjarjen më të rëndësishme të kontinentit në nivel klubesh dhe përjashtim të atyre skuadrave që konsiderohen të vogla.

Një zëdhënës i UEFA-s bën të ditur se drejtuesit e këtij organizmi tashmë kanë hyrë në kontakte me palët e interesuara, duke përfshirë këtu edhe klubet. Për këtë arsye, çdo plan i ndryshimit të formatit do të përpilohet në bashkëpunim me ta.

Një ide e tillë filloi të krijohet pas takimit të zhvilluar javë më parë nga klubet angleze me synim ndarjen nga Liga e Kampioneve dhe krijimin e një SuperLige Evropiane.

Top Channel