Behrami: Kosovarët e Zvicrës nuk do të luajnë për Kosovën

24/03/2016 00:00

Më 3 maj pritet që Kosova të bëhet anëtarja e 55-të e UEFA-s, dhe me shumë mundësi, të përfshihet edhe në kualifikimet për Kupën e Botës 2018, që nisin në shtator të këtij viti.

Mirëpo, Valon Behrami ka shuar ëndrrat e të gjithë tifozëve kosovarë për të parë emra si Shaqiri e Xhaka duke veshur fanellën e përfaqësueses së vendlindjes. Mesfushori i Watfordit ka siguruar se asnjëri prej kosovarëve të Zvicrës nuk do të luajë për Kosovën.

“Në rastin tim, unë jam 1000% i sigurt, pasi jam 30 vjeç dhe dua të luaj për Zvicrën. Megjithatë, as të tjerët nuk do të ndryshojnë. Ata u lindën këtu dhe objektivi i tyre ka qenë gjithmonë të luajnë për ekipin kombëtar. Ne kemi luajtur gjithmonë në aktivitete madhore, me përjashtim të vitit 2012, ndërsa Kosova është ende shumë larg këtij objektivi”, tha Behrami.

Në një intervistë për “20min.ch”, Behrami la të nënkuptohej se futbollistët që kishin braktisur Zvicrën për të zgjedhur fanellën kuqezi të Shqipërisë, e kishin bërë vetëm sepse nuk kishin një vend të garantuar në kombëtaren helvetike.

“A mund t’i rrëmbejë Kosova lojtarët siç bëri Shqipëria? Të gjithë e dimë se si rrodhën gjërat. Por futbollistët nuk duhet të mendojnë se nuk mund të luajnë me kombëtaren edhe këtu”, tha ai.

Sipas tij, Kosova do të fillojë një projekt me lojtarë të rinj, ndërsa problemi kryesor me të cilin përballej ishte mungesa e financave që duhen kur synohet përfaqësimi në nivelet më të larta.

Top Channel