Gjermania ndaj Anglisë, mes mungesave dhe sigurisë shtesë

24/03/2016 00:00

Kampionia në fuqi e botës, Gjermania vazhdoi përgatitjet e saj për supermiqësoret e këtij fund muaji ndaj dy gjigantëve të futbollit europian. “Panxerat” e trajnerit Joakim Loev u stërvitën nën masa të rrepta sigurie pas sulmeve terroriste në Bruksel, por më shumë se kërcënimet, teknikun gjerman e shqetësojnë dëmtimet.

Mesut Ozil dhe Karim Belarabi munguan në stërvitjen e fundit. Për miqësoren e së shtunës në Berlin kundër Anglisë, janë të sigurta mungesat e Zherom Boateng, Benedikt Hovedes dhe Bastian Schëeinsteiger.

Mesfushori i Mancester United ka dëmtuar ligamentet e gjurit të djathtë, duke vuajtur të njëjtat probleme nga të cilat ishte rikuperuar pak muaj më parë. Por nuk janë vetëm miqësoret shqetësimi i Gjermanisë për kapitenin e tyre.

Schweinsteiger rrezikon të mos jetë as në Europianin 2016 nëse problemet fizike do ta mundojnë edhe kur të hartohet lista finale për turneun. Këputja e pjesshme e ligamenteve është një dëmtim që kërkon kohë të riaftësohet, pikërisht atë kohë që trajneri Loev mund ta shpenzojë për të gjetur një zëvendësues në rolin e tij.

Dëmtimi është një tjetër goditje për mesfushorin e United që ka luajtur vetëm 13 ndeshje me “djajtë e kuq” në Premier League. Kampionia e botës Gjermania, do të luajë me Anglinë më 26 mars në Berlin dhe 3 ditë më vonë do të presë Italinë në Mynih.

Top Channel