Surprizë nga Shaqiri

24/03/2016 00:00

Në vazhdën e përgatitjeve për të qenë në formë optimale për turneun Euro 2016 këtë verë, kombëtarja zvicerane e futbollit mbylli seancat e fundit para fluturimit në Irlandë për miqësoren e parë të këtij muaji.

Por një surprizë e bukur ka ardhur nga futbollisti me origjinë kosovare që luan me helvetikët, Xherdan Shaqiri. Ky i fundit i ka bërë një dhuratë të bukur njërit prej tifozëve më besnikë, Adrianit 13-vjeccar që është i prekur me sindromen “down”.

Futbollisti i Stoke Cityt përfshiu adoleshentin me nevoja speciale në stërvitjen e kombëtares së Zvicrës, ndërsa i dhuroi atij edhe një fanellë të formacionit helvetik.

Ndërkohë në diskutimin për lojë, Xherdan Shaqiri mbetet në dyshim për miqësoren e së premtes ndaj Irlandës për shkak të një problemi muskular. Mesfushori teknik mund të përdoret titullar nga trajneri Petkovic në ndeshjen tjetër që Zvicra do të luajë në datën e lirë të FIFA-s.

Helvetikët janë pozicionuar në të njëjtin grup me Shqipërinë në Europianin 2016 dhe turneu i tyre nis pikërisht ndaj kuqezinjve në 11 qershor. Së bashku me këto dy ekipe, në grup janë dhe Franca e Rumania.

Top Channel