Shkëlqimi i Hysajt te Napoli, shqiptari i kërkuar nga Atletico

23/03/2016 00:00

Elseid Hysaj është tashmë një bast i fituar për trajnerin e Napolit, Maurizio Sarri, i cili ndryshe nga skeptikët e shumtë napolitan besoi verbërisht te 22-vjeçari shqiptar duke i dhënë atij për 29 ndeshje vendin e titullarit me fanelën me numrin 2.

“Që kur më mori Sarri, unë mendova se do të më shkonte mirë pasi ai më njeh si futbollist pasi kam punuar me të prej 4 vjetësh dhe deri tani më ka shkuar mirë”, shprehet Hysaj.

Ndihmën më të madhe për të shndërruar në surprizën e këtij sezoni, shkodrani e ka marrë nga lojtarët me emër, të cilët te skuadra e Napolit nuk janë pak.

“Jemi një grup i mirë dhe falë atyre unë jam rritur si mbrojtës dhe në të gjitha drejtimet”, thotë mbrojtësi shkodran i Napolit.

Nota mesatare mbi 6.5 për 29 aktivizime në kampionat, kanë bërë që Hysaj të shënjestrohet nga skuadra të medha të kampionateve të tjera. Sipas mediave italiane, Atletico Madrid është gati të paguajë 25 mln euro për të transferuar shkodranin.

“Jam duke menduar vetëm për fitimin e kampionatit dhe pas përfundimit të kampionatit do të shoh se çfarë mund të bëjë”, shprehet Elseid Hysaj.

Tre pikë larg Juventuesit kryesues e bëjnë skuadrën e Sarrit një pretendente potenciale për titullin kampion, trofe që i mungon prej 26 vjetësh Napolit.

“Besojmë shumë pasi janë vetëm 3 pikë dhe jo 30. Do të jemi 100% të formës sonë në çdo ndeshje të mbetur dhe më pas do të shohim si do të shkojnë punët deri në fund”, thotë shkodrani.

“Tani jam tifoz me Hysajn. Do të jetë një gëzim i madh për mua që të kemi shqiptarin e parë kampion të Serie A”, shprehet portieri i Kombëtares dhe i Lazios në Serie A, Berisha.

Top Channel