Dhuna seksuale gjatë luftës, viktima edhe burrat

23/03/2016 00:00

Në Kosovë ka filluar procesi i identifikimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Nuk ka shifra ekzakte, por besohet se mes 20 mijë viktimave ka edhe burra.

Një prej tyre theu heshtjen pak ditë pasi u pranuan aplikimet e para për njohjen e statusit të të mbijetuarit të dhunës seksuale. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, burri, identiteti i të cilit mbetet i fshehtë, rrëfen historinë e tij gjatë luftës në Prishtinë.

“Më kanë futur në një ndërtesë, poshtë shkallëve, më kanë zhveshur dhe njëri nga ata më ka dhunuar. Ante, e thërrisnin. Ka pasur një shenjë në ballë, i gjatë dy metra dhe emrin Antiç. Aty më kanë keqtrajtuar në mënyrën më të rëndë të mundshme. Për fatin tim, gjatë keqtrajtimit dhe dhunimit ka ardhur një oficer i tyre dhe u ka bërtitur në gjuhën serbe “Zoti ju vraftë, çfarë jeni duke bërë këtu”. Ata kanë ikur jashtë, unë jam veshur dhe pasi kam dalë nga ndërtesa nuk kam ditur as nga po ecja. Përfundova në një lagje afër spitalit të Prishtinës”, thotë burri në kushte anonimati.

Për statusin e të mbijetuarve ekziston tashmë një ligj dhe ata që aplikojnë si të tillë do të verifikohen nga komisioni qeveritar prej 9 anëtarësh, i cili ka në përbërje përveç zyrtarëve nga ministritë edhe një psikolog klinik dhe një psikiatër.

Pas verifikimit kjo kategori do të përfitojë edhe pensionin e sanksionuar me ligj. Por ky komision nuk është krijuar ende, edhe pse duhej të ndodhte gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit në vitin 2014.

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Izedin Bytyçi tha për Top Channel se viktimat e dhunës seksuale mund të aplikojnë për njohjen e statusit në sekretariatin e komisionit, i formuar me vendim të kryeministrit.

Top Channel