Maqedoni, gjendje krize deri në fund të vitit prej refugjatëve

23/03/2016 00:00

Ministria e Mbrojtjes në Shkup vlerëson se, gjendja e krizës në kufirin jugor me Greqinë dhe atë verior me Serbinë duhet të mbetet në fuqi deri në fund të këtij viti.

Për shkak të numrit të madh të refugjatëve, që presin për të kaluar tranzit nëpër Maqedoni, ministri Zoran Jolevski kërkoi nga Kuvendi që të shfuqizojë vendimin e mëparshëm, me të cilin parashikohej që gjendja e krizës të vlejë deri më 15 qershor. Ndaj dhe kërkoi që ky afat të shtyhet të paktën deri më 31 dhjetor.

“Grupi i vlerësimit ka bërë një analizë të detajuar për situatën në kufirin tonë jugor dhe verior, si dhe lëvizjen e refugjatëve. Raporti i është dorëzuar Qendrës për Menaxhimin e Krizave, e cila ka konstatuar se është e nevojshme, që gjendja e krizës të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor”, tha Zoran Jalevski, ministër i Mbrojtjes.

Ndryshe nga deputetët e partisë më të madhe maqedonase, VMRO-DPMNE, që mbështesin kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes, grupi parlamentar i partisë shqiptare BDI e sheh si të panevojshme shtyrjen e afatit për gjendjen e krizës. Madje, sipas deputetit Talat Xhaferi, Kuvendi nuk mund të vendosë për një gjë të tillë.

“Qeveria është organi kompetent që vendos për gjendjen e krizës, përcakton hapësirën ku duhet të shpallet gjendja e krizës dhe në mënyrë të përshtatshme aktivizon të gjitha mekanizmat e nevojshme për t’u ballafaquar me situatën”, tha Talat Xhaferi, deputet i BDI-së.

Por, pavarësisht kundërshtimit të BDI-së, kërkesa për shtyrjen e afatit për gjendjen e krizës në kufijtë jugorë dhe veriorë të Maqedonisë, pritet të miratohet nga Kuvendi javën e ardhshme.

Top Channel