Kosovë, ndahen buxhetet për komunat veriore. 11 mln euro në dispozicion

23/03/2016 00:00

Komisioni për Buxhetin dhe Financat miratoi buxhetin e vitit 2016 për komunat e Drenasit, Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe atë të Zveçanit. Nga mbi 11 milionë euro buxhet për komunat veriore, rreth 9 milionë janë të destinuara për të punësuarit në këto komuna.

Deputeti i grupit “6+”, Fikrim Damka ka kërkuar sqarime nga zëvendësministri Krasniqi, nëse janë verifikuar listat e të punësuarve në arsim në këto komuna, pasi – sipas tij, – në komunën e Zubin Potokut me 6.500 banorë, në lista figurojnë 65 edukatorë për arsimin parashkollor, ose 1 edukator për dy nxënës. Paga e kësaj kategorie është rreth 500 euro, ndërsa për arsimin fillor rroga mesatare është 189 euro.

Zëvendësministri Krasniqi ka pranuar se kanë vërejtur, – siç tha ai, – gjëra që nuk kanë logjikë, por sipas tij është detyrim i kuvendeve komunale të bëjnë rishpërndarjen brenda programeve. Ai tha se kriteret për ndarjen e granteve janë zbatuar për të gjitha komunat njësoj, duke shtuar se diku ka më shumë paga sesa punëtorë dhe e kundërta, rregullime të cilat varen nga kuvendet komunale.

Mospërputhja e pagave dhe të punësuarve në komunat veriore ka bërë, që buxhetet të miratohen me abstenimin e deputetit të “6+” Fikrim Damka, si dhe deputetes së Partisë së Drejtësisë, Labinota Demi-Murtezi. Ndërsa deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxheri ka kërkuar rishikim urgjent të listave të pagave në komunat veriore.

Përveç fondeve që marrin nga buxheti i Kosovës, komunat e veriut kanë në dispozicion edhe “Fondin Zhvillimor për Veriun”, fond ky që grumbullon të ardhura nga dy pikat doganore 1 dhe 31, në Bernjak dhe Jarinjë.

Top Channel