Anulohet sfida Belgjikë-Portugali

23/03/2016 13:40

Ashtu siç u paralajmërua, sfida miqësore mes Belgjikës dhe Portugalisë nuk do të zhvillohet. Lajmi u konfirmua nga Federata Belge e Futbollit nëpërmjet një komunikate për shtyp në faqen zyrtare të saj të internetit.

“Për motive sigurie, sfida e parashikuar për t’u luajtur ditën e martë mes Belgjikës dhe Portugalisë është anuluar. Tifozët që kishin prerë bileta për këtë ndeshje që do të luhej në 29 mars do të rimbursohen”, lexohet në komunikatën e federatës.

Vendimi i drejtuesve më të lartë të futbollit belg për të anuluar sfidën me Portugalinë u mor pas sulmeve të ndodhura ditën e martë në Bruksel, ku humbën jetën dhjetëra persona, ndërsa mbi 170 të tjerë mbetën të plagosur.

Kjo është hera e dytë që Belgjika anulon një ndeshje miqësore. Në vitin 2015 federata e futbollit të këtij vendi anuloi sfidën me Spanjën, e parashikuar të zhvillohej në 17 nëntor, për shkak të sulmeve të ndodhura në Paris.

Top Channel