Siguria në “Euro 2016”, “zonat e tifozëve”, shqetësim

23/03/2016 13:20

Atentatet në Bruksel e kanë rritur akoma më shumë shqetësimin e organizatorëve të Evropianit që do të mbahet në Francë edhe pse është bërë premtimi për siguri maksimale.

Mësohet se tashmë problemi kryesor në aspektin e sigurisë janë bërë ambientet ku janë krijuar “zonat e tifozëve”, ku do të vijnë tifozë të 24 skuadrave pjesëmarrëse në ngjarjen më të rëndësishme futbollistike të vitit.

Mësohet se do të jenë rreth 7 milionë persona që do të mbështesin përfaqësueset e tyre dhe që do të jenë në këto zona që duken më problematike se stadiumet.

Sipas mediave, për të garantuar sigurinë para dhe pas ndeshjeve të Evropianit, do të akordohen 17 milionë euro, 4 milionë nga të cilat do të jepen nga vetë UEFA. Në të njëjtën kohë do të bëhen kontrolle dhe regjistrime për çdo person që do të hyjë në “zonat e tifozëve” dhe kjo bëhet në mënyrë që të mos ketë shkatërrim të festës futbollistike.

Por jo vetëm kaq. Nga Franca vijnë lajme se për Evropianin masat e sigurisë do të jenë akoma më të mëdha. Mësohet se numri i agjentëve të policisë do të rritet me 7%, ndërkohë që do të ketë edhe 10 mijë agjentë sigurie privatë për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.

Top Channel