Reali dhe Juventusi, klubet që lidhen nga merkatoja

23/03/2016 12:25

Reali i Madridit do të riblejë Alvaro Moratën. Siguria vjen nga e përditshmja spanjolle “AS”, që e konsideron praktikisht të mbyllur këtë çështje. Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, edhe pse do ta riblejë Moratën nga Juventusi, Reali nuk ka ndëmend ta mbajë sulmuesin spanjoll, por do të kërkojë ta shesë në klube të tjera për të paktën 50 milionë euro.

Në këtë aspekt kandidaturat nuk mungojnë dhe skuadrat që kanë shfaqur më shumë interes për futbollistin janë Arsenali dhe Bajerni i Mynihut, mes të cilave mund të nisë një luftë ofertash për të siguruar kartonin e Moratës.

Ndërkaq, Juventusi nuk po qëndron aspak në heshtje përsa i përket merkatos dhe sytë i ka hedhur pikërisht nga Reali i Madridit. Sipas asaj që publikohet në median italiane, emri i lakuar më shumë nga bardhezinjtë është ai i Iscos, i cili pavarësisht premtimeve që iu bënë nga Zidane, po e sheh veten jashtë planeve të trajnerit francez.

Kjo do të thotë që mesfushori spanjoll është shumë pranë largimit nga “Santiago Bernabeu” dhe Reali i Madridit tashmë pret ofertën për të, ndërkohë që ai vetë kërkon 45-50 milionë euro. Juventusi nga ana e tij është gati të ofrojë për Iscon 30 milionë euro, shifër kjo së cilës i shtohen edhe disa bonuse të tjera.

Top Channel