Luis Suarez kthehet në kombëtaren e Uruguajit

23/03/2016 11:30

Uruguaji po përgatitet për sfidën e eliminatoreve të Botërorit me Brazilin, që do të luhet ditën e premte, por vëmendjen më të madhe e ka marrë Luis Suarez. Sulmuesi i Barcelonës është kthyer të veshë sërish fanelën e përfaqësueses së tij pasi e përfundoi dënimin e dhënë nga FIFA në vitin 2014, për shkak të kafshimit ndaj Chiellinit në Botërorin e atij viti.

Faktin që i gjithë presioni është mbi futbollistin 29-vjeçar e ka pranuar edhe vetë trajneri i Uruguajit, Oscar Tabarez, i cili ka theksuar se Suarez po punon që të jetë i fokusuar në maksimum te futbolli: “Suarez mund të ndjejë shumë emocione. Ai duhet të ketë menduar për shumë gjëra gjatë periudhës që ka qenë larg kombëtares dhe një nga objektivat e vendosura prej tij është që të mendojë vetëm të luajë dhe asgjë më tepër. Ai po bëhet sërish pjesë e një skuadre, do të ketë përballë kundërshtarë që e njohin potencialin e tij, kështu që ai duhet të ruajë qetësinë dhe të tregojë më shumë pjekuri”.

Ndërkaq, vetë Suarez nuk e ka fshehur kënaqësinë për rikhimin e tij në kombëtaren uruguajane, duke theksuar se tani njërëzit po e vlerësojnë më mirë dhe se ai do të tregojë në fushën e lojës mirënjohjen e tij.

Uruguaji ndodhet në vendin e dytë të eliminatoreve të grupit të Amerikës Latine, pas Ekuadorit. Në fazën finale të Botërorit 2018 kalojnë 4 skuadrat e para, ndërsa vendi i pestë do të luajë në “playoff”.

Top Channel