UEFA: Europiani 2016 është i sigurt

23/03/2016 00:00

Mijëra tifozë të futbollit dhe kombëtaret finaliste duke përfshirë atë shqiptare, duhet të ndjehen të sigurt për qëndrimin e tyre në Europianin 2016.

Në kohën kur bota është tronditur nga sulmet e fundit terroriste në Bruksel, që pasuan ato të Parisit, UEFA ka riafirmuar edhe njëherë përkushtimin e saj për të vendosur në plan të parë rendin dhe sigurinë në qendër të planit organizativ.
 
Turneu kontinental është vetëm pak muaj larg dhe terrorizmi që goditi zemrën e Europës, ka kërcënuar dhe futbollin, ashtu siç bëri muaj më parë në vendin organizator të Europianit, me “Stade de France”, një objektiv i sulmeve.

Qeveria e futbollit europian, ka thënë se kompanitë e sigurimit në bashkëpunim me forcat elitare do të bëjnë çdo spektator të ndihet i sigurt.  Disa herë në vendin transalpin janë zhvillar stërvitje që kanë angazhuar forca nga ajri dhe toka në simulime të sulmeve terroriste pranë impianteve sportive dhe zonave të populluara.
 
“Në 3 vitet e fundit autoritetet organizative kanë punuar ngushtë me agjencitë e zhvillimit për të garantuar mbarëvajtjen e turneut”, thuhet në një njoftim të UEFA-s. Franca ka aplikuar disa herë plane potenciale të sulmeve terroriste në qytetet më të mëdha ku do të luhen ndeshjet.

Mes skenarëve simulues janë dhe atentatet terroriste me bomba kimike, ndërsa inteligjenca transalpine vazhdon punën në zonat e dyshuara ku fshihen grupe ekstremiste, sidomos në Paris dhe Marsejë, dy qytete ku do të zhvillohen disa ndeshje të Euro 2016.

Top Channel