Kosovë, gazetarët në protestë kundër kryeministrit Mustafa

22/03/2016 00:00

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës organizoi të martën një protestë kundër kryeministrit Isa Mustafa, pas raportimeve të një gazetari se ishte kërcënuar në telefon nga kreu i qeverisë, për një lajm të publlikuar në lidhje me vëllain e tij.

Gazetarë të medieve kryesore kosovare u mblodhën para godinës së Qeverisë, duke e cilësuar ndërhyrje në fjalën e lirë, telefonatën, që gazetari dhe pronari i portalit “Insajderi”, Vehbi Kajtazi thotë se ka marrë nga kryeministri, pasi publikoi lajmin se, vëllai i kryeministrit ishte në mesin e kosovarëve azilkërkues në Europë.

“Presim nga kryeministri të reflektojë dhe t’i kërkojë falje kolegut Kajtazi, pasi  mosdistancimi nga një akuzë e tillë, që tashmë është bërë publike, përbën kërcënim të vazhdueshëm për punën dhe jetën e gazetarëve të tjerë”, tha Zerkirja Shabani, kryetar i AGK-së.

Edhe pse kryeministri nuk ka pranuar, që telefonata kërcënuese në “Viber” me fjalët “ke për ta paguar shtrenjtë” është kryer nga vet ai, gazetari Kajtazi e ka denoncuar rastin në polici.

“Unë po pres që shteti të veprojë njësoj siç ka vepruar në rastin e kërcënimit të djalit të kryeministrit Mustafa dhe ministrit Arban Abrashi, sepse – siç dihet, – për 48 orë një i ri është arrestuar, është ngritur aktakuza, është gjykuar, është dënuar dhe i është caktuar paraburgimi prej 3 muajsh”, tha Vehbi Kajtazi, gazetar.

Top Channel u përpoq të kontaktojë zyrtarët për informim në Policinë e Kosovës lidhur me rastin në fjalë, pasi gazetari Kajtazi ka denoncuar rastin, por kjo nuk ka qenë e mundur. Në vitin 2015, në Kosovë janë regjistruar 27 raste të kërcënimit, pengimit në punë apo edhe sulmit ndaj gazetarëve.

Top Channel