Shqipëria, e mpakur në Olimpiadë. Në Brazil me minimumin historik të sportistëve

22/03/2016 16:15

Shqipëria rrezikon që për herë të dytë të përfaqësohet me numrin minimal të sportistëve në një olimpiadë. Ndryshe nga “Pekin 2008” dhe “Londër 2012”, ku numri i kuqezinjve ishte mbi 10, këtë herë janë 4, të paktën deri tani.

“Dy garat kualifikuese më të afërta janë në sportin e peshëngritjes dhe në sportin e boksit. Ne kemi edhe sistemin e ftesave, dy në atletikë dhe dy në not. Nuk dëshirojmë që të jetë hera e dytë, por ne do të përpiqemi që me këta sportistë të bëjmë një përfaqësim sa më dinjitoz”, thotë sekretari i KOKSH-it, Stavri Bello.

Përveç dopingut që goditi rëndë peshëngritjen shqiptare, sekretari i KOKSH-it pohon se një nga shkaqet e këtij përfaqësimi minimal është dhe sistemi sportiv në vendin tonë.

“Është komplekse. Vitin e kaluar Federata e Peshëngritjes u përfshi nga dopingu dhe krahas saj do të shtoja edhe konfliktet e ndryshme të brendshme të të gjitha federatave”, thotë ai.

Bello shton gjithashtu se federatat shqiptare janë mjaftuar me rezultatet e mira të individëve dhe nuk kanë punuar me një plan afatgjatë: “Peshëngritja në Londër shfrytëzoi mjaft mirë sistemin e pikëzimit ekipor. Këtë herë, mospërfaqësimi me individë cilësorë që të përfaqësonin ekipin nuk u lejoi që të përfitojnë kuota”.

Top Channel