Sulmet në Bruksel, tronditet bota e futbollit

22/03/2016 12:55

Ngjarja tragjike që goditi Brukselin këtë të martë, tronditi ndjeshëm edhe botën e futbolllit. Futbollistë, klube apo federata të vendeve europiane kanë shprehur ngushëllimin për viktimat e shpërthimeve në kryeqytetin belg duke përdorur rrjetet sociale.

I pari që dha mesazhin e tij në Twitter ishte mbrojtësi i Totenhem, Jan Vertogen i cili shkruan : Nuk e besoj që po lexoj sërish lajme të tilla.

Të njëjtën gjë bënë edhe sulmesi Batshaui dhe Adnan Januzaj. Batshaui publikoi një grafikë domëthënëse ku duken flamuri belg dhe ai francez që përjetonin të njëjtën histori tronditësë, ndërsa Januzaj komentoi: Është e tmerrshme të shohësh se çfarë po ndodh në Bruksel.

Ndërkaq, klubi i Anderlehtit, për shkak të kësaj tragjedie anuloi një takim të organizuar me tifozët e saj në një qendër tregtare.

Solidariteti me Belgjikën erdhi edhe nga klube e lojtarë të tjerë jashtë kufijve të këtij vendi. Klubi i Ajaccios  publikoi në Twitter: Mendimet tona shkojnë për miqtë tanë belgë duke përdorur edhe hashtagun #jeSuisBelge.

Po kështu edhe Olimpiku i Marsejës jep mesazhin: Mbështesim miqtë tanë belgë, jemi me ju. Mendimet tona shkojnë për viktimat e familjet e tyre.

Nuk mbeti indiferente ndaj kësaj ngjarjeje as Federata Portugeze e Futbollit, e cila nëpërmjet një komunikate për shtyp ka konfirmuar bisedimet me drejtuesit e Federatës belge për një pezullim të mundshëm të sfidës së me Belgjikën të parashikuar të luhet javën e ardhshme.

Ngjarja e rëndë në belgjikë ka prekur cdokend në Europë dhe tashmë ka nisur një fushatë në mbështetje të popullit belg në rrjetet sociale ku janë përdorur disa hashtag si : #JeSuisBruxelles apo #PrayForBelgium.

Top Channel