Margarita Xhepa, “Fisnikëria e Durrësit”

22/03/2016 00:00

Festimet për ardhjen e pranverës në Durrës janë shoqëruar edhe me nderimin e një prej ikonave të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, aktores së madhe Margarita Xhepa me titullin “Fisnikëria e qytetit”.

Ky vlerësim në prag të 82-vjetorit të lindjes, është rezultat i një pune dhe përkushtimi të gjatë në fushën e artit.

“Profesioni jonë dihet që fisinkëron shpirtin e njeriut, atë që bën artis e bën kush. Kemi punuar me dashuri dhe përkushtim, po flas në emër të brezit tonë të parë, me një seriozitet të jashtëzakonshëm. Me gjithë mend është një gjë e bukur që ne e kemi në shpirt artin, jemi të papërtuar, sepse arti jep mesazhin më të fuqishëm. Unë kam marrë nga puna ime në teatër dhe kinematografi disa trofe e çmime, po këtë do ta quaja të veçantë. Puna jonë është e lidhur me spektatorin, sepse ne në skenë dhe në film kemi partnerin, por partneri kryesor jeni ju që na doni, respektoni dhe duartrokitur. Keni qënë gjithmonë frymëzim”, u shpreh aktorja e nderuar Margarita Xhepa.
 
Aktorja që mban dhe titullin e lartë “Nderi i Kombit“ ndan me teleshikuesit e Top Channel emocionet e kësaj dite.
 
“Kënaqësi e veçantë. Ne artistët gjithmonë marrim vlerësime e trofe për role në film ose teatër, por këto vlerësime të një qyteti, siç është Durrësi e shumë qytete të tjera, do ta quaja kënaqësi e veçantë, një nderim mirënjohje, sepse ne jemi mësuar me partnerë në skenë po partnerë kryesor kemi spektatorin”, ka rrëfyer Xhepa.
 
Me mbi 150 role në teatër e 33 role në kinematografi, ajo është ngjitur disa herë edhe në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, së fundmi me veprën e Kadaresë “Kush e solli Doruntinën“ të regjisorit Laert Vasili.
 
Pranvera u prit simbolikisht me mbjelljen e një trëndafili në qendër të Durrësit, për t’u pasuar nga spektakli artistik me emra të njohur të këngës e humorit në vend.

Top Channel