Granit Xhaka: Shqipëria? E fortë, por i mposhtim

22/03/2016 00:00

Granit Xhaka ka paralajmëruar të tijtë se kombëtarja e De Biasit nuk është një skuadër për t’u nënvlerësuar, përkundrazi, edhe pse beson se Zvicra do t’ia dalë të mposht sërish kuqezinjtë.

“Shqipëria mund të jetë një kundërshtar i paparashikueshëm. Ata në të kaluarën kanë mundur ekipe të mëdha si Franca apo Portugalia. Nëse ata do të paraqiten më mirë se ne, gjë të cilën unë nuk mendoj se do të ndodhë, duhet ta respektojmë një gjë të tillë”, tha Xhaka, duke shtuar se tashmë i njohin kuqezinjtë pasi janë përballur dy herë në ndeshje zyrtare.

Graniti, që do të luajë përballë Taulantit më 11 qershor, ka thënë se ai bashkë me lojtarët e tjerë me origjinë shqiptare, do të lënë kockat për Zvicrën, duke kërkuar që diskutime të tilla kur vihet në dyshim angazhimi i lojtarëve jo zviceran në kombëtare, të mbyllet njëherë e përgjithmonë.

“Nëse ne nuk do të luanim me krenari për Zvicrën, ne nuk do ta kishim zgjedhur këtë kombëtare. Sipas mendimit tim, kjo është gjëja e vetme që vlen në këtë diskutim. Ne jemi të gjithë në të njëjtën barkë, jemi të gjithë pjesë e së njëjtës skuadër, të gjithë duhet të lëmë kockat për Zvicrën. Sinqerisht që nuk e prisja që të riktheheshin diskutime të tilla”, tha Xhaka në një intervistë për “watson.ch”.

Top Channel