Botërori i Katarit, tifozët në tenda

22/03/2016 00:00

Duhen ende 6 vjet nga starti i aktivitetit, por Botërori i futbollit në Katar është kthyer në një hall më vete për FIFA-n.

Si të mos mjaftonin diskutimet për blerjen e votave që çuan turneun elitar në cep të botës, duket se temperaturat e larta dhe akomodimi nuk po lënë të qetë organizatorët.

Këta të fundit tashmë po mendojnë edhe për mijëra tifozë që do të zbarkojnë në vend dhe mes opsioneve akomoduese janë edhe tendat tradicionale arabe, ku qëndrojnë fise indigjenë të ndryshëm dhe beduinë.

Rënia e çmimit të naftës ka trembur edhe një shtet me muskuj të fortë financiarë si Katari që ka shtyrë projektet inovative për ndërtimin e hoteleve dhe aeroporteve.

Të paktën 500 mijë tifozë të kombëtareve të ndryshme pritet të zbarkojnë në vendin aziatik ndërsa organizatorët i qëndrojnë fort idesë së tendave beduine, si mënyra më unike dhe krijuese për të joshur vizitorët.

“Në zemër të përkushtimit tonë për Kupën e Botës qëndron ideja për të treguar mikpritje ndaj atyre që do të vijnë dhe ne po mendojmë seriozisht opsionin e fjetjes në qiell të hapur”, tha një zëdhënës i komitetit organizativ.
 
Kampingu në shkretëtirë është një aktivitet popullor mes vendasve në kohën e dimrit në një vend që shfaq luks të tepruar në qendrat urbane.

Top Channel