Dedikimi i Buffon: Kur të ktheva shpinën, të dashurova

21/03/2016 00:00

Goli i pësuar mbrëmjen e djeshme në derbin e Torinos, ndali në 973 minuta rekordin e rrjetës së paprekur të Gianluigi Buffon në kampionatin italian. Një rekord të cilin më parë e mbante ish-portieri i Milanit, Sebastiano Rossi.

Një moment historik i portierit të Juventusit dhe të përfaqësueses italiane, i cili një ditë më pas, reagon me një letër të hapur kushtuar portës që mbron prej fëmijërisë.

“Isha 12 vjeç kur i ktheva shpinën portës. Hodha poshtë të shkuarën time, për të garantuar të ardhmen.
Një zgjedhje zemre.
Një zgjedhje fati.
Por, pikërisht kur ndalova të të shihja në sy, fillova të të dua.
Të të mbroja.
Të isha vija e parë dhe e fundit e mbrojtjes.
Ikisha premtuar vetes time që do të bëja të pamundurën, që të mos kryqëzoja më shikimet me ty. Ose sa më rrallë të mundja. Por sa herë ndodhte, për mua ishte një dhimbje, më duhej të kthehesha për të kuptuar që të kisha zhgënjyer.
Sërish.
Edhe nje herë tjetër.
Ishim gjithmonë të kundërt, por plotësues, si Dielli me Hënën. Të detyruar që të jetonim sëbashku, pa u shmangur. Shok jete, të cilëve i ndalohet kontakti.
25 vite më parë bëra zgjedhjen time. U betova që do të ruaja. U bëra mburojë ndaj armiqve të tu. Por kam menduar gjithmonë për të mirën tënde, duke mohuar edhe timen. Sa herë jam kthyer të të shoh jam përpjekur të mbështes imazhin tënd zhgënjyes me kokën lart, por duke ndjerë thellësisht dhimbjen.

Isha 12 vjeç kur i ktheva shpinën portës.
Dhe do të vazhdoj ta bëj, deri sa këmbët, mëndja dhe zemra ta përballojnë”.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel