Marrëveshja BE-Turqi, KE dhe Tsipras: Duhet bashkëpunim me Ankaranë

21/03/2016 00:00

Athina zyrtare ka kërkuar ndërhyrjen e koordinatorit special të KE-së, Maarten Fervei, tek Ankaraja, në mënyrë që Turqia të frenojë fluksin e refugjatëve që po rritet në orët e fundit, pavarësisht se prej mesnatës së të dielës ka hyrë në fuqi marrëveshja BE-Turqi.

Në një takim me Komisionerin europian për Emigracionin, kryeministri grek ka pranuar se, suksesi i marrëveshjes varet nga puna e organeve greke, nga mbërritja e asistencës teknike nga BE, si dhe nga presioni i BE-së ndaj Ankarasë.

“Kemi përpara nesh një të përpjetë të madhe, për shkak se zbatimi i marrëveshjes nuk do të jetë një çështje e lehtë. Unë mendoj se, shmangëm më të keqen dhe se, nëse nuk do kishim një marrëveshje bashkëpunimi me Turqinë, do të kishim gjetur veten përballë një efekti ‘domino’ me veprime të njëanshme”, tha kryeministri grek, Alexis Tsipras.

“Flukset nuk mund të reduktohen brenda natës. Marrëveshja është vënë në fuqi dhe të gjitha palët kanë marrë përsipër përgjegjësitë e veta. Do të gjykohet në veprim”, tha Dimitris Avramopoulos, Komisioner i BE-së për Emigracionin.

Edhe Margaritis Skinas, përfaqësuesi i Jean-Claude Juncker ka deklaruar se, KE-ja është në dijeni të vështirësisë së marrëveshjes BE-Turqi, duke iu referuar numrit të madh të hyrjeve në orët e para të fillimit të zbatimit të saj, ndaj dhe do të duhet kohë për të parë rezultatet.

Ndërkohë, sipas zëdhënëses së KE-së, Greqisë do t’i duhen 4.000 nëpunës, prej të cilëve 1.500 grekë dhe 2.500 nga vendet e tjera të BE-së, për të ndihmuar në të gjithë procedurat e regjistrimit dhe kthimit të atyre refugjatëve, apo emigrantëve, që kanë hyrë pas datës 20 mars.

Gjithashtu, edhe agjencia për kufijtë “FRONTEX” ka kërkuar 1.500 policë dhe 50 specialistë, ndërsa – sipas marrëveshjes – edhe në ishullin e Lesbosit kanë mbërritur zyrtarët turq, që do të ndihmojnë në kthimin e emigrantëve në Turqi.

Për herë të parë, organet greke njoftuan mesditën e së hënës se, numri i refugjatëve në të gjithë Greqinë e kaloi shifrën prej 50 mijë vetësh, 12 mijë prej të cilëve vetëm në Idomeni, ku përsëri ka pasur protesta nga emigrantët që kërkojnë hapjen e kufijve.

Top Channel