Novak Djokoviç, në favor të pabarazisë

21/03/2016 00:00

Një propozim i çuditshëm vjen nga numri një i tenisit botëror, serbi Novak Djokoviç, i cili është shprehur se tenistët meshkuj duhet të fitojnë më shumë parà sesa homologet e tyre (femra), për shkak se tërheqin më shumë shikueshmëri për të parë përballjet e tyre.

Më herët, shefi ekzekutiv i turneut të “Indian Wells”, Raymond Moore kishte thënë se turi “WTA” për femra “shtrihej mbi pelerinën e meshkujve”, duke iu referuar kështu asaj që mund të konsiderohet si “tërheqje zvarrë prej asaj që ofronin meshkujt”.

Pas fitores në turneun “BNP Paribas Open”, në “Indian Wells”, 11 herë fituesi i titujve të mëdhenj, Djokoviç tha se turnetë e tenisit për meshkuj “duhet të luftojnë për më shumë”. Por, serbi i ka përshkruar komentet e Moore si “jokorrekte politikisht”.

Djokoviç, 28-vjeçar, tha se femrat “luftojnë për atë që meritojnë dhe ia dalin mbanë ta marrin atë”, por shpërblimi i pretenduar duhet të “shpërndahet në mënyrë të drejtë”, bazuar mbi atë se “cilët tërheqin më shumë vëmendjen, spektatorë dhe kush shet më shumë bileta”.

Deri më sot ka pasur një ndarje të barabartë shpërblimesh për trofetë në të katërta turnetë madhorë, “Australian Open”, “US Open”, “French Open” dhe “Wimbledon”, që prej vitit 2007. Si to, edhe ngjarjet e kombinuara “Masters”, siç konsiderohen “Indian Wells” dhe “Miami” paguajnë njësoj femrat dhe meshkujt. Por, tenistet femra paguhen ndjeshëm më pak nëpër turnetë vetëm për femra, krahasuar me turnetë vetëm për meshkuj.

Ndaj komenteve të Moore ka reaguar edhe numri një i tenisit botëror për femra, Serena Williams, e cila i ka quajtur ato si “ofensive apo agresive”, madje i konsideron ato si “të gabuara dhe shumë, shumë të pasakta”.

“Ekziston vetëm një mënyrë për ta interpretuar atë koment. Të ulesh në gjunjë, gjë që është shumë poshtëruese, dhe të falënderosh meshkujt”, shtoi fituesja e 21 trofeve madhore, 34-vjeçarja Williams. “Ne nuk duhet të ulemi në gjunjë, në asnjë lloj mënyre”.

Moore, një ish-tenist tashmë 69-vjeçar nga Afrika e Jugut tha se “nëse do të kishte qenë një teniste femër, do të përulej çdo natë mbi gjunjë dhe do të falënderonte Zotin, që Roger Federer dhe Rafael Nadal ekzistojnë, sepse vetëm ata e kanë bërë tërheqës këtë sport. Me të vërtetë po”. Por më pas, ai ka kërkuar falje për këto deklarata “të gabuara”.

Top Channel