Zotërinj të internetit kujdes, “Vejusha e Zezë” është e lirë

21/03/2016 00:00

Zotërinj përdorues të internetit bëni kujdes. Melissa Ann Shepherd, e njohur si “Vejusha e Zezë e internetit” është e lirë.

Policia kanadeze paralajmëroi të gjithë përdoruesit që mund ta njohin atë përmes internetit të mos i besojnë asgjë nga ato që thotë.

Sipas autoriteteve, 80-vjeçarja mund të shfaqet si person i dashur dhe në nevojë për dashuri, por qëllimi i saj është krejt tjetër dhe jo më kot ka marrë nofkën “Vejusha e Zezë e internetit”.

Lista e gjatë e krimeve të saj nis që në fillim të viteve ’90. Në atë kohë ajo u arrestua për drogimin, masakrimin me thikë dhe më pas dhunimin e kufomës së e bashkëshortit të dytë të saj, duke i kaluar disa herë me makinë përsipër.

U la e lirë disa vite më vonë për “sjellje të mirë” dhe për shkak të moshës. Nuk humbi shumë kohë dhe u martua për herë të tretë. Në vitin 2002, Robert Freidrich, partneri i saj i tretë, vdiq një vit pas martesës me të. Ata ishin njohur përmes një faqeje interneti të krishterësh. Djemtë e Robert fajësuan “Vejushën e Zezë” për vdekjen e babait të tyre, por asnjë akuzë nuk u ngrit për shkak të mungesës së provave.

Në vitin 2005 pre e mashtrimit të saj bëhet Alex Strategos. Edhe me këtë ishte njohur online. Fatmirësisht ai nuk pati të njëjtin fund si Robert. Pas shkëputjes së lidhjeve me të, ai do të deklaronte se Melissa dukej një person i dashur dhe në kërkim të dashurisë.

“Asgjë nga këto nuk ishte e vërtetë. Besoj që më hodhi diçka në akullore dhe unë humba ndjenjat. Mbase ka kujtuar se kisha vdekur dhe më vodhi 20 mijë dollarë”, rrëfen ai për BBC.

Pas kësaj ajo u arrestua dhe u dënua me 5 vite burg për tentativë vrasjeje dhe grabitje.

Aktualisht Shepherd është e lirë me kusht, duhet të raportojë në polici çdo lidhje të mundshme, i ndalohet përdorimi i internetit dhe duhet të shfaqet në rajonet policore nëse do të ndryshojë pamjen e saj.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel