Gabimet që mund të të kushtojnë

21/03/2016 00:00

Mos prek kokat e njerëzve në Tajlandë dhe mos bëj shenjën “OK” në Brazil. Këto janë këshilla të reja për ata që kalojnë pushimet jashtë kufijve, e që padashje mund të ofendojnë vendasit.

Shumë turistë zgjedhin të informohen më përpara, për vendin ku do të pushojnë dhe traditat e tij. Por, kush nuk i bën kërkimet në kohë, mund të bjerë prè e gafave kulturore nga më të ndryshmet, apo të gjendet edhe përballë problemeve me ligjin, që mund të burojnë nga një gjest i thjeshtë i dorës, ose porositja e një pijeje alkoolike.

Janë disa, gabimet e bëra prej pushuesve, ndonëse në vendet e tyre të lindjes, veprimet në fjalë mund të jenë plotësisht të pranueshme. Në Britani nuk bën dot shenjën e fitores “V”, përveçse kur pëllëmba është e kthyer për jashtë.

Një pëllëmbë me këtë shenjë, që sheh për nga fytyra, në Britani, Irlandë, Australi dhe Zelandën e Re cilësohet fyese. Në Angli nuk duhet të ngacmosh gjithashtu rojet e Mbretëreshës. Ata janë ushtarë me uniformë, nuk janë aty për zbukurim.

T’u prekësh kokën tajlandezëve është si t’i ftosh në sherr: koka është pjesa më e lartë e trupit, e për pasojë, edhe më e respektuara. Shenja e rrumbullakët e “OK”-it në Brazil mund t’iu sjellë pasoja të padëshiruara, sepse konsiderohet ofendim i rëndë.

Koktejin popullor “autobomba irlandeze” mund ta porosni pa probleme në Amerikë, ama në Irlande nuk do ta kërkoni me këtë emër. Kamerierit do t’i thoni: më sill një gjysmë për gjysmë. Në Lindjen e Mesme, ndërkohë, thjesht për ta ditur, nuk e marrin për mirë kur dikush tregon shputën e këmbës, apo pjesën e poshtme të këpucës.

Top Channel